- December 10, 2024

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, e cila shënohet çdo vit më 10 dhjetor, është një moment i rëndësishëm global për të reflektuar mbi të drejtat themelore të njeriut dhe për të adresuar sfidat që ende mbeten në mbrojtjen dhe promovimin e tyre. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e miratuar më 1948, mbetet një dokument themelor që përfaqëson angazhimin për dinjitet, drejtësi dhe liri për të gjithë njerëzit.
Për ta shënuar këtë ditë, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, në bashkëpunim me organizatën Kosovski Stradalnici, organizoi dy takime shumë të rëndësishme: një në Prishtinë dhe një në Beograd. Këto takime u përqendruan në të drejtat e familjarëve të personave të zhdukur – një grup që përballet me dhimbjen e mungesës së më të dashurve dhe pasigurinë për fatin e tyre.
Mesazhet dhe konkluzionet kryesore të takimeve:
- Familjarët theksuan se e drejta e tyre për të ditur fatin e më të dashurve të tyre po shkelet në baza ditore, duke shtuar dhimbjen dhe vuajtjen që ata përjetojnë prej më shumë se dy dekadash.
- Mungesa e bashkëpunimit mes autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit është një pengesë kryesore për progresin. Familjarët janë ata që vuajnë më shumë pasojat e kësaj mungese koordinimi.
- Mesazhi i familjarëve ishte i qartë: duhet të bëhen përpjekje më të mëdha dhe të intensifikohen hulumtimet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, sepse për familjet, kthimi i të dashurve të tyre është e vetmja gjë që ka rëndësi.
- Aktorët ndërkombëtarë dhe organizatat globale, ndonëse të angazhuara në çështjet e të drejtave të njeriut, shpesh çalojnë në përmbushjen e premtimeve për garantimin e të drejtave themelore për të gjithë.
- Politizimi i procesit mbetet një shqetësim madhor. Çështja e të zhdukurve nuk duhet të jetë çështje politike, por duhet të trajtohet si një çështje thelbësore e të drejtave të njeriut. Familjarët kërkojnë vetëm një të drejtë të thjeshtë: të dinë vendndodhjen e më të dashurve të tyre, të kenë një varr ku t’i kujtojnë dhe t’i nderojnë me dinjitet.
Kërkesat e familjarëve:
- Rikthimi i bashkëpunimit mes komisioneve dhe grupeve punuese në Prishtinë dhe Beograd, duke vendosur të drejtat e njeriut në qendër të këtij procesi.
- Proceset transparente dhe raportimi i rregullt për familjet, për të garantuar që ata janë të informuar mbi çdo zhvillim të ri.
- Një angazhim i përbashkët dhe pa dallime etnike, fetare apo racore për të garantuar drejtësi dhe zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave ende të pagjetur në Kosovë.
Angazhimi ynë vazhdon
Si aktivistë dhe përfaqësues të familjarëve, ndonëse nuk kemi fuqi ekzekutive, ne do të vazhdojmë të avokojmë dhe të kërkojmë llogaridhënie nga institucionet në Beograd dhe Prishtinë. Nuk do të ndalojmë së ngrituri zërin për të mbështetur çdo iniciativë që ndihmon në zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Çdo njeri ka të drejtën për t’i kujtuar të dashurit e tij dhe për të vendosur lule mbi një varr – një e drejtë që askush nuk duhet t’ua mohojë.
10 Dhjetori është një ditë për reflektim dhe veprim
Kjo ditë na kujton përgjegjësinë që kemi për të mbrojtur të drejtat e njeriut, jo vetëm për veten tonë, por edhe për ata që ende vuajnë në heshtje. Le të bashkohemi për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë, humane dhe të ndriçuar nga drejtësia për të gjithë.
Projekti mbështetet me përkrahjen financiare të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë përmes UNPD-së.