Mbështetje psikosociale për familjet e personave të zhdukur në Fushë Kosovë

Gjatë muajve korrik dhe gusht, Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore, përmbylli me sukses ciklin e dytë të aktiviteteve të vazhdueshme të mbështetjes psikosociale për, familjare të personave të zhdukur, ngakomuna e Fushë Kosovës.

Cikli përfshiu tetë sesione të udhëhequra nga psikologë të licencuar të IML-së dhe mblodhi 17 pjesëmarrëse, familjare të personave të zhdukur. Sesionet krijuan një hapësirë konfidenciale dhe mbështetëse, ku pjesëmarrëset mund të shprehnin mendimet dhe emocionet e tyre, të ndanin përvojat me gra që përballen me sfida të ngjashme dhe të forconin aftësitë e tyre për përballimin e situatave të vështira.

Përmes diskutimeve të udhëhequra dhe mbështetjes profesionale, aktivitetet kontribuuan në mirëqenien emocionale, inkurajimin e ndërsjellë dhe forcimin e ndjenjës së solidaritetit ndërmjet pjesëmarrëseve.

Përmbyllja e këtij cikli të dytë pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur për të ofruar mbështetje psikosociale për familjet e personave të zhdukur dhe për t’iu përgjigjur nevojave të tyre afatgjata përmes shërbimeve profesionale dhe të përqendruara te të mbijetuarit.

Këto aktivitete zbatohen nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur përmes aktivitetit programor “Lehtësimi i së drejtës për të ditur dhe angazhimi i institucioneve përgjegjëse”, me mbështetjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).