Në Gjilan u mbajt sesioni informues për të drejtën për të ditur dhe angazhimin institucional

Më 6 maj 2026, në Gjilan u mbajt sesioni informues me titull “Lehtësimi i së drejtës për të ditur dhe angazhimi i institucioneve përgjegjëse”, i cili mblodhi familjarë të personave të zhdukur, përfaqësues institucionalë dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Diskutimi u përqendrua në sfidat me të cilat familjet vazhdojnë të përballen, rolin e institucioneve në adresimin e çështjes së personave të zhdukur, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të fuqishëm ndërmjet të gjithë akterëve të përfshirë. Panelistët ndanë informacione mbi përpjekjet aktuale, boshllëqet ekzistuese dhe nevojën për koordinim më të madh, në mënyrë që familjet të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të ditur fatin e më të dashurve të tyre.

Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit, veçanërisht familjarët e personave të zhdukur, për praninë, kontributin dhe besimin e vazhdueshëm. Një falënderim i veçantë shkon edhe për Komunën e Gjilanit dhe znj. Mimoza Kadriu nga Drejtoria e Shëndetësisë për mbështetjen në realizimin e këtij aktiviteti.

Ky aktivitet u organizua nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur (QBPZH), në kuadër të aktivitetit programor “Lehtësimi i së drejtës për të ditur dhe angazhimi i institucioneve përgjegjëse”, i mbështetur nga UNMIK.