“Kurrë nuk ndezim qiri për babanë si për të vdekur”
Jasmina Zhivkoviq, Shtërpcë
Paun Zhivkoviq në qershor të vitit 1999 tërheq familjen e tij nga Ferizaji në zonën e Shtërpcës, ku serbët ndihen më të sigurt duke qenë më homogjenë. Familja i lë lamtumirën gjithë jetës dhe punës së deriatëhershme në këtë qytet, duke braktisur shtëpinë me të gjitha posedimet.
Me organizimin e vitit të ri shkollor atë shtator në vendngulimin e ri, lypsen dosjet dhe i gjithë dokumentacioni prej shkollave që shumë nga serbët deri para pak muajsh i kishin vijuar në Ferizaj. Gjashtë nga drejtorët dhe mësimdhënësit kërkojnë nga KFOR-i polak t’u sigurojë shoqërim për t’i marrë dokumentacionet nga shkollat që kishin braktisur në Ferizaj. Në mesin e tyre, zoti Paun Zhivkoviq, drejtor i shkollës së mesme teknike, njëri nga dy drejtorët që atë ditë shkuan në Ferizaj, por nuk u kthyen më kurrë.
E bija, Jasmina, thotë se familjarët, edhe pse të vetëdijshëm se ka njëzet vjet që nuk dinë gjë për të, edhe pse në EULEX e UNMIK u thonë që asnjëri prej serbëve të rrëmbyer nuk ka shpëtuar i gjallë, megjithatë nuk e pandehin babanë për të vdekur, duke e çuar jetën me një lloj ndjenje të çuditshme, gjithmonë të pranishme, por vështirë të përshkrueshme.
Aktore: Rebeka Qena
Kompozitor: Memli Kelmendi
Intervistues: Korab Krasniqi
Fotografitë: Korab Krasniqi
Producent dhe regjisor: Kushtrim Koliqi
Linku për audio-rrëfimin http://kosovomemory.org/podcast/episodi-08-kurre-nuk-ndezim-qiri-per-babane-si-per-te-vdekur-31-53-min/?lang=sq