Në kërkim të së vërtetës – një javë aktivizëm

Rrëfimi #1

Fetije Mirena, Fushë Kosovë

Mbrëmjen e 21 prillit 1999 në Fushë Kosovë zbarkon nga treni një grup paramilitarësh të ardhur nga Serbia. Të veshur zi, të armatosur dhe të maskuar, u hyjnë shtëpive në të cilat jetojnë pjesëtarë të ndryshëm nga familja e gjerë Mirena, nga të cilat tubojnë jo më pak se gjashtëmbëdhjetë burra – vëllezër, djem axhallarësh dhe bij të tyre.

Gratë e mbetura me fëmijë terrorizohen fill mandej nga vetë fqinjët e tyre serbë, në mënyrë që të detyrohen ta lëshojnë vendin. Shtëpitë plaçkiten dhe më vonë digjen. E mbetur me katër fëmijë, Fetije Mirena, e shoqja e Nezirit të rrëmbyer atë ditë, rrëfen vuajtjet e saj të shumta gjatë dhe pas luftës.

Në vitin 2006 gjenden në Serbi mbetjet trupore të Nezirit dhe të të gjithë burrave të rrëmbyer me të. As varrosja e eshtrave nuk ia vë kapakun tragjedisë familjare.

Aktore: Rebeka Qena
Kompozitor: Memli Kelmendi
Intervistues: Korab Krasniqi
Fotografitë: Korab Krasniqi
Producent dhe regjisor: Kushtrim Koliqi

Linku për audio- rrëfimin http://kosovomemory.org/podcast/episodi-01-tash-i-mungon-krejt-shputa-26-04-min/?lang=sq